Ky artikull është publikuar më parë në Monitor.al

Transaksionet e blerjes dhe shitjes së pasurive të paluajtshme në këta dy muaj karantinë janë ulur rreth 80%, ndërsa çmimet e apartamenteve janë në stanjacion. Operatorët e tregut japin dy arsye për tkurrjen e kërkesës, pasiguria për të investuar në blerje shtëpie dhe kufizimi i lëvizjeve.
Ekspertët presin që 4 deri në 8 muaj pas pandemisë, çmimet e apartamenteve të ulen, për shkak të krizës në ekonomi, por nëse ato nuk korrektohen prej tyre vlerësohet të ketë shtim të fluksit të parave informale. Kërkesa për qira apartamentesh është ulur, madje shtëpitë me çmim deri 30.000 lekë janë lënë për shkak të pamundësisë financiare për t’u paguar. Biznesi i vogël është më i godituri nga kriza dhe pasiguria për rihapjen e aktivitetit pritet të sjellë rënie të qirave për ambient ekonomik.

Kërkesa në rënie

Ylli Sula, presidenti i “Çelësi Media Group” dhe Key Data, i cili përmes të dhënave nga njoftimet historike në gazetë, ka krijuar një indeks të çmimeve të shitjes të apartamenteve, konstaton se në këtë periudhë është tkurrur kërkesa. “Tregu i shitjes të apartamenteve në këtë moment është ‘wait and see’, pra është i ngrirë apo në karantinë dhe ende nuk mund të flitet për efektin te çmimet.

Mund të thuhet se kërkesa është e ulët, transaksionet e tregut kanë ‘ngrirë’. Nëse arsyet e rënies të kërkesës janë nga kufizimi i lëvizjeve të qytetarëve për shkak të karantinës, ose pasiguria që ata ndjejnë për të investuar të blerja e shtëpisë kur ekonomia është goditur, do të përcaktohet pas zhbllokimit të situatës”, pohon zoti Sula.

Edhe për ndërtuesit kërkesat për blerje të apartamenteve ka një frenim të lehtë për shkak të kufizimit të lëvizjeve, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë në të njëjtat nivele, si para pandemisë për zonat e shtrenjta dhe për periferinë e Tiranës.

“Në këtë periudhë pandemie kam dërguar te noteri 11 kontrata shitjeje, ku do të pritet procedura e bankës dhe besoj se për një muaj shitja finalizohet. Shitjet po ecin edhe për apartamentet e shtrenjta. Për shkak të pamundësisë në lëvizje, ka pasur një frenim, por mendoj se pas nisjes së lëvizjeve do të ketë shitje. Në kohë normale, shitjet kanë qenë më të larta, kurse në këtë periudhë shitjet janë ndikuar vetëm nga kufizimi i lëvizjeve. Çmimet janë të njëjta, nuk kanë ndryshuar.

Lexoni intervistën e plotë në Monitor.al.