Shtëpia e ëndrrave, më afër apo më larg se kurrë?

Distancimi social dhe karantimi gjatë Koronavirus kanë krijuar sfida të reja. Kjo situatë e vështirë ka ndikuar dhjetëra industri, qindra vendime e mijëra individë.

Çfarë nënkupton kjo periudhë për shitblerjen e pronave, për qeramarrësit e qeradhënësit?

Secili prej nesh mundet lehtësisht të sjellë ndër mend tërmetet e shtatorit e nëntorit e si ato literalisht e figurativisht shkundi themelet tona. Një ndër sektorët e prekur ishte dhe industria imobiliare, ku në Durrës shumë agjenci të pasurive të paluajtshme zgjodhën të ndalonin marketimin si dhe u pezulluan shumica e shitblerjeve.

Këto “shkundje” sollën nevojën për rivlerërsim të pronave, shfaqi “sekretet” e urbanistikës e banesave dhe lejeve të ndërtimit, si dhe rriti kërkesën për investimin në apartamente cilësore.

Sipas indeksit KeyData, në 2019 çmimet janë shtuar disi paralelisht me rritjen ekonomike, afërsisht 3%.

Minimizimi i taksës fiskale pritej të sillte rritje më të mëdha të tregut imobiliar, por në 2020 tani në kohë pandemie a qëndron ky parashikim?

Ngrirja e tregut nuk ka qenë totale, por ka pasur tkurrje të procesit të shitblerjeve.

Me limitimet e të dalurave, vështirësinë e lëvizjes me automjete e distancimin social, janë vështirësuar tej mase ndërveprimet transaksionale.

Në Mbretërinë e Bashkuar qeveria ka këshilluar shtyrjen e transaksioneve përveç atyre ku palët janë të lidhura kontraktualisht dhe është shumë vonë për tu kthyer mbrapa.

Ju mund të vazhdoni kërkimin për blerje ose të nxirrni shtëpinë tuaj në shitje, por përgatituni për vonesa e ngadalësime. Mund të jetë më e vështirë për realizimin e fotove, vizitimi i vendit mund të jetë i pamundur.

Nëse do mundësohet, duhet të siguroheni të ruani distancën, të përdorni masat parandaluese ku është e mundur, mos ti jepni dorën personit tjetër (e vështirë, sidomos për ne shqiptarët, e dimë), mos të hyni në hapësira të vogla e të ngushta të cilat rrisin rrezikun e transmetimit etj.

Studimet e The Times kanë treguar se në fakt kërkesa për blerjen e shtëpive ka qëndruar e lartë pavarësisht COVID-19. Një tjetër studim ka treguar se vetëm 4%  e klientëve i kanë hequr njoftimet e tyre për shtëpi.

Tani ka më pak konkurencë dhe kjo situatë përfaqëson një moment të mirë për blerësit që tregohen të shpejtë. Dobësimi i tregut të pronave të patundshme mund të rezultojë në një rritje më të madhe se zakonisht kur kjo situatë të mbarojë.

Ky territor është i huaj për shumë prej nesh, prandaj ekspertët janë zgjedhja më e sigurtë dhe e vlefshme.

Intervistë me eksperten imobiliare Jona Bebeci nga Keydata Albania

Keydata Albania është indeksi i parë privat në Shqipëri, i cili vjen si një produkt i ofruar nga shoqëria “Çelësi sh.p.k”, me mbështetjen e programit BAS (Business Advisory Services) të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Gazeta “Çelësi”, si tregu më i madh i njoftimeve dhe transaksioneve ekonomike në nivel kombëtar.

Çfarë pritshmërish kishit për tregun imobiliar në fillim të  2020? Si është adaptuar tregu imobiliar në këto kohë?

Tregu imobiliar në 3-mujorin e parë 2020 pritej të ishte paksa kaotik, e thënë kjo, nisur nga gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme me tërmetin e 26 Nëntorit 2019. Pasojat e tij u reflektuan edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, duke qenë se blerësi potencialë në atë periudhë, por edhe në muajt që pasuan, përfshirë këtu edhe fillimin e vitit 2020 ishte ende i pasigurtë për të investuar në pasuri të paluajtshme të tipologjisë apartamente.

Referuar statistikave të gjeneruara nga Keydata, për 3-mujorin e parë 2020, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë kanë pësuar ulje. Çmimet mesatare ndikohen nga numri i apartamenteve në shitje në 3-mujorin përkatës.

Nga muaji Janar 2020 në muajin Shkurt 2020, numri i njoftimeve të apartamenteve në shitje në Tiranë ra me 0.5 %, ndërsa një rënie më e madhe u vu re në muajin Mars, në të cilin numri i njoftimeve për apartamente në shitje ra me 16.6 %.

Marrë këtu në konsideratë që pothuajse 10 ditët e para të muajit Mars, tregu i pasurive të paluajtshme ishte duke funksionuar në kushte normale.

Me fillimin e periudhës së karantinimit, pothuajse çdo proces kaloi në mënyrë digjitale. Në rastin e këtij tregu, funksionimi në këto kushte konsiderohet i vështirë ose pothuajse i pamundur, përveç mundësisë së publikimit të njoftimit për shitje në Gazetën Çelësi apo në websitet e agjencive imobiliare, mundësia e kryerjes së transaksionit të shit-blerjes nuk është e realizueshme. Çdo individ që në këtë periudhë do të kryente një transaksion të tillë e ka lënë atë për një moment të mëvonshëm, në kushtet e normalizimit të situatës dhe njëkohësisht të tregut të pasurive të paluajtshme, megjithëse pasojat e saj do të reflektohen edhe në periudhat e mëpasshme.

Përsa i përket çmimeve mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë në këtë 3-mujor, çmimet janë ulur me 4 % nga muaji Janar në Shkurt 2020.

Çmimet reale janë të deflatuara me normën e inflacionit në këtë 3-mujor. Inflacioni në këtë 3-mujor krahasuar me 3-mujorin e fundit 2019, ra 18.8 % (nga 1.6 % në 1.3 %). Ndërsa nga muaji Shkurt në Mars 2020, çmimet mesatare reale janë ulur me vetëm 1 %, sepse përsa kohë pati një rënie jo shumë të madhe të numrit të njoftimeve, rrjedhimisht kjo nuk do të reflektonte një rënie të konsiderueshme të çmimit të shitjes së apartamenteve. Apartamentet që kanë qenë në shitje në fillim të muajit mars janë publikuar në gazetën Çelësi edhe në javët e ardhshme të publikimit të gazetës. Përgjatë 20 ditëve të para të karantinimit për muajin Mars, logjikisht nuk pritej një reflektim (rënie apo rritje) i konsiderueshëm në çmimet mesatare reale.

Ky reflektim do të pasqyrohet dhe do të jetë më i qartë në 3-mujorët që do të pasojnë.

A janë e ardhmja turet virtuale 3D?

Sigurisht që po, ama kjo nuk ndikon absolutisht në çmimin e shitjes së një prone. Vendosja e çmimit përcaktohet dhe ndikohet nga faktorë të tregut. Sigurisht edhe avancimi i teknologjisë ka ndikimin e saj, por kjo kryesisht në lehtësimin e aksesueshmërisë dhe ofrimit të avantazheve që lidhen me përdorimin e kohës në mënyrë eficiente.

Këshilla juaj për ata që duan të blejnë shtëpi

Unë do t’i sugjeroja individëve që dëshirojnë të blejnë të jenë aktivë në kërkimin e tyre, për dy shkaqe: konkurencën si dhe okazionet që mund të hasin. Një hapësirë interesante mund të shfaqë qeradhënia e bizneseve, e cila do hasë një ulje, duke ofruar mundësi të këndshme për të interesuarit.

Në këto kushte, zgjidhja më e mirë është të mendojmë me pozitivitet për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë shqiptare.

Çdo individ, këtë periudhë, duhet të mendojë në afatgjatë për të realizuar një investim me një kthim sa më të sigurt aq edhe më fitimprurës.

Intervistë me ekspertin imobiliar Besard Rusi nga Remax Albania

Si po operoni në këto kohë?

Situata e COVID-19 evoluoi brenda pak ditëve në Shqipëri. Që prej rastit të parë të raportuar, u gjendëm para pamundësisë për të lëvizur gjatë tre javëve të para të Marsit. Zyrat e noterëve u mbyllën, gjithashtu bankat dhe zyrat e hipotekës punuan me personel të reduktuar. Kjo situatë solli nevojën për t’u adaptuar dhe për të evoluar. Idea që të rrinim në pritje deri sa COVID-19 të kalonte nuk na përshtatej.

Menjëherë u munduam të kuptonim çfarë mund të bënim në kushtet e karantinës.

Filluam me trajnimet e stafit, fati ynë ishte që ne tashmë e kishim një platformë e-learning për agjentët tanë të Remax Albania.

Gjithashtu edhe kompania mëmë na ka ofruar trajnime të vazhdueshme online nëpërmjet Webinareve ose e-learning.

Së dyti, edhe pse në kushtet e karantinës, ne kemi patur mundësinë fantastike të jemi afër me klientët dhe problematikat e tyre. Në fillim të Prillit agjencitë imobiliare ishin ndër bizneset që u lejuan të operonin me orar të kufizuar. Vendosëm të kalonim sa më shume procese online. Nëse përpara harxhonim kohë në prezantimin e pronave, tashmë prezantimet fillestare bëhen nëpërmjet videocall, përmes WhatsApp ose Facetime, pa nevojën e kontakteve me persona të tretë.

Gjithashtu janë marrë masa për të mbrojtur klientët dhe Stafin. Agjentët dhe blerësit potencialë nuk zhvillojnë takime pa maskë dhe doreza.

Po përdorim mjete dhe aplikacione që na ndihmojnë të zhvillojmë punën, fjala kyçe është SIGURIA.

Projeksionet tuaja për tregun

Kriza shëndetësore e COVID-19 po transformohet edhe në krizë ekonomike. HoReCa do të jetë sektori më i dëmtuar. Tregu i pronave të patundshme do preket, por do të dalë me humbjet më të lehta.

Të gjithëve iu është thënë një gjë e vetme: Qëndroni në shtëpi.

Shumë persona kanë kuptuar edhe njëherë vlerën dhe rëndësinë e shtëpisë dhe qetësinë që të qenit pronar sjell.

Projeksionet e mia ndahen në dy pjesë të tregut:

  1. Shtëpive dhe komercialeve me qera
  2. Shitblerjeve të pronave

Tregu i qerave

Kjo pjesë e tregut është ajo që po vuan më shumë prej COVID-19. Në Tiranë po fillon të rritet shpejt oferta për shtëpi me qera. Shumë shtëpi po lëshohen nga ish-qeraxhinjtë, të cilët mund të jenë:

  1. Studentë të larguar nga Tirana,
  2. Të huaj të kthyer në vendlindje
  3. Persona që kanë humbur vendin e punës dhe përkohësisht janë kthyer të jetojnë me familjet në rrethe
  4. Shtëpi me qera ditore në Airbnb, pronarët e të cilëve po kërkojnë t’i rikthejnë me qera afatgjatë.

Kjo do sjellë një rënie të vazhdueshme të kërkesës për qeramarrje deri në fillim të Shtatorit, kur me rihapjen e vitit shkollor dhe universiteteve, do të rikthehet kërkesa. Qeratë do të zbresin ose të paktën të qëndrojnë stabël edhe këtë vit.

Përsa i takon dyqaneve, shikojmë që shumë biznese po tregohen të kujdesshëm me investimet në hapjen e pikave të reja. Njëkohësisht, bizneset po lëshojnë ambientet e tyre, në pamundësi për të mbuluar qeranë ose shpenzimet.

Tregu i shitblerjeve të pronave

Tregu i shitblerjeve të pronave është më i komplikuar. Aktualisht, çdo gjë është pezull, të gjithë në pritje. Blerësit kanë vendosur ta shtyjnë blerjen e një shtëpie, qoftë nga pasiguria e situatës, qoftë nga pritshmëria për uljen e çmimeve.

Në anën tjetër kemi shitësit, në pritje të kalimit të situatës dhe rifillimit të aktivitetit ekonomik, të cilët nuk marrin iniciativën e zbritjes së çmimeve. Kemi një moment stabiliteti, ku çmimet as nuk po rriten, as nuk po zbresin.

Jam i bindur që tregu i pronave të patundshme do ta rrimarë veten e do t’i jetë rikthyer normalitetit deri në fund të vitit.

Bazohem në disa faktorë për ta thënë këtë:

  1. Ulja e interesave për kreditë hipotekore, çka ndihmon blerësit e rinj
  2. Fillimi i procesit të rivlerësimit të pronave
  3. Rifillimi i marrjes së të ardhurave nga emigrantët, sapo të rihapen ekonomitë e vendeve përkatëse dhe linjat ajrore
  4. Amnistia fiskale që do sjellë likuiditet në treg, sigurisht edhe në atë të pronave të patundshme.

Tremujori i tretë dhe i katërt i vitit do të jenë ato që do të risjellin tregun e pronave të patundshme në nivelet përpara krizës.

Intervistë me eksperten imobiliare Linda Dashi nga Smart Invest

Duke marrë shkas nga pandemia COVID-19, e cila ka gjetur të papërgatitur mbarë njerëzimin, strukturat shtetërore dhe aktivitetin e përditshëm të bizneseve, do të thoja se ëshë situatë e paprecedentë dhe me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e punën tonë.

Si po operoni në këto kohë?

Industria e pasurive të paluajtshme si pjesë e zinxhirit ekonomik në vend padyshim që është në vështirësi operimi, per të mos thënë që ka ndalur. Të operosh në tregun e pasurive të paluajtshme do të thotë të jesh në terren dhe në kontakt direkt me klientë. Është pothuajse e pamundur të realizosh shitje apo dhënie me qera të një prone pa pasur mundësi ta prezantosh atë më parë, pavarësisht ndihmës që na jep teknologjia.

Projeksionet tuaja për tregun

Ekonomia globale është duke përjetuar një krizë të thellë si pasojë e COVID-19, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në vështirësi të dyfishtë pas tërmetit të 26 Nëntorit, sidomos në tregun e pasurive të paluajtshme. Pritshmëritë e këtij viti mbeten për t’u vlerësuar sipas ecurisë së pandemisë.

Me shpresë dhe optimizëm presim një rregullim të raportit kërkesë-ofertë, po ashtu dhe të çmimeve të qerave dhe shitjeve.

Nuk mund të themi që do jetë e njëjtë kërkesa për pronat nga klientët kredimarrës, nga klientët e huaj apo shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për shkak të pamundësisë së lëvizjes.

Edhe pse pandemia ka ndikuar thellësisht në industrinë e pasurive të paluajtshme, normaliteti do të kthehet shpejt në punën tonë.

Intervistë me eksperten imobiliare Blerina Xhelili nga Century 21 Albania

Si po operoni në këtë kohë?

Zyrat e mia C21 Premium dhe C21 Bridge janë operative prej 4 javësh, edhe pse ne nuk kemi  ndaluar së punuari edhe në kushtet e shtëpisë gjatë muajit Mars. Në respektim të rregullave për mbrojtjen ndaj virusit në zyrë janë prezente çdo ditë menaxherja e zyrës dhe 2 agjentë.

Gjatë këtyre 4 javëve, kemi kryer edhe vizita me klientë, kryesisht në prona të pa banuara. Fokusi kryesor ka qenë marketingu online, trajnimi i stafit me webinar online të organizuar si nga kompania  Century21 Albania, ashtu edhe nga kompania mëmë në Amerikë dhe Kanada, dhe rikontaktimi i klientëve me të cilët kemi qenë në procese transaksioni, por që për shkak të karantinimit, jemi detyruam ta ndërprisnim vazhdimësinë.

Është një periudhë e cila ka ndikuar negativisht në çdo biznes, por detyra e çdo sipërmarrësi  është ta bëjë atë të lëvizë e të gjejë mënyra të reja për të rezistuar në treg.

Do ta mbyllja me një thënie të Alan Kay:

The best way to predict the future is to invent it! (Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është  ta shpikësh atë)

Projeksionet tuaja për tregun

Përderisa nuk kemi një përcaktim të kohëzgjatjes së pandemisë, është e vështirë të bësh parashikime të sakta mbi tregun e pronave të patundshme në Shqipëri.

Faktet e 20 viteve të fundit kanë treguar që tregu i pasurive të patundshme në Shqipëri nuk ka ndjekur të njëjtat tendenca si tregjet ndërkombëtare në raste krizash apo në situata normale.

Për momentin, nga njëra anë kemi një tkurrje të kërkesës si për blerje, si për qera me qëllim banimi, sepse njerezit nuk ndihen të sigurtë për të marrë përsipër një investim gjatë një periudhe që ka shumë paqartësi. Nga ana tjetër, kemi rritje të kërkesës nga investitorët në kërkim të pronave komerciale “me çmim nën treg”.  Çmimet e pronave në shitje deri në këtë moment që flasim nuk kanë pësuar ulje, ndërkohë që ka një tendencë ulje të vogël për qeratë. Kjo e fundit për shkak të rritjes së ofertës në treg dhe uljes së fuqisë blerëse.

 

Kjo guidë është publikuar fillimisht te Blog Çelësi.