Të enjten e javës së kaluar në kohë rekord lançuam nismën Biznesi shqiptar solidarizohet me popullin shqiptar.
 

Nisma “Solidaritet përballë pandemisë”

Kjo hapësirë unike i mundëson çdo qytetari dhe familje shqiptare të informohet dhe përfitojë nga shtëpia të gjitha ofertat e solidaritetit të bizneseve shqiptare që kanë zgjedhur të gjenden pranë e të ofrojnë mbështetje për lehtësimin e këtyre ditëve të vështira.
 

Ne nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe. -Nënë Tereza

Një numër gjithnjë në rritje biznesesh janë solidarizuar dhe i janë bashkuar iniciativës që në ditët e para, mbi 40 vetëm 2 ditët e fundit. Kjo është nismë inovatore po rezulton shumë e mirëpritur nga bizneset dhe qytetarët si për vlerat dhe solidaritetin që mbart, ashtu edhe për zgjidhjet dhe kontributin konkret që ofron në lehtësimin e përditshmërive të çdo shqiptari në këtë situatë të vështirë, krejt të pazakontë për të gjithë.
 

Solidaritet, shërbime dhe lehtësira për këdo

Konsulta mjekësore falas, kurse online, Audiobooks, përkujdesje dhe këshillim për fëmijët, lëvrim ushqimesh e ilaçesh në shtëpi, zgjidhje për të punuar nga shtëpia, aktivitete edukative për t’i dhënë vlerë dhe kuptim kohës në shtëpi, shërbime e produkte të nevojës së parë apo të kujdesit personal për të gjithë familjen e deri te fustane nusërie dhuratë për doktoreshat dhe infermeriet që po përballen në vijën e parë me pandeminë, gama e gjerë e shërbimeve dhe bizneseve që i janë bashkuar kësaj nisme është shumë inkurajuese dhe shpresëdhënëse për suksesin e përballjes së shoqërisë shqiptare me këtë sprovë sa realisht të rrezikshme, aq edhe filtruese e potencialisht rigjeneruese të vlerave të vërteta që duhet të ndajmë bashkërisht si shoqëri.
 
 

Ftesa jonë për çdo biznes

Nisma është përkrahur nga media si Top Channel, Revista Monitor, Ora News, institucione si Dhomat e Tregtisë, etj. Ftojmë dhe media të tjera të promovojnë këtë nismë unike.

Ne besojmë se edhe ti me ofertat dhe shërbimet e biznesit tënd mund të kesh një impakt të jashtëzakonshëm për familjet shqiptare në këto ditë të vështira! Ju duhet të bëheni pjesë e kësaj iniciative!

Ftojmë çdo biznes ti bashkohet kësaj iniciative! Kjo është mënyra jonë “kreative” për të përkrahur zemrën e biznesit tonë: shqiptarët. Në këto momente, është më e rëndësishme se kurrë të gjendemi pranë çdo familje me çdo mjet dhe formë që të mundemi.